REC Shqipëri akreditohet për modulet e trajnimit në fushën e edukimit për zhvillimin e qëndrueshëm

Janar 05, 2018 | Nga Genta Hoxha

Nevoja për një edukim shumë dimensional parashtrohet sot, jo vetëm si një alternativë për të patur në shoqëri "më të qytetëruar", por edhe si një zgjidhje e rëndësishme për të zgjidhur problemet me të cilat përballemi sot. Problemet mjedisore në nivel global e bëjnë Edukimin për Mjedisin dhe për Zhvillimin e Qëndrueshëm, një nga komponentët kyç të të mësuarit si në edukimin formal dhe atë jo formal.

Institucionet e edukimit formal luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kapaciteteve që në moshë të vogël, duke dhënë njohuri dhe duke ndikuar në mënyrën e qëndrimit dhe të sjelljes. Është e rëndësishme që të gjithë nxënësit dhe studentët të marrin njohuritë e duhura mbi edukimin mjedisor dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe të jenë të informuar për ndikimin që kanë vendimmarrjet që nuk mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm. Çdo institucion edukativ, në tërësinë e tij, duke përfshirë nxënësit dhe studentët, mësuesit, pedagogët dhe pjesën tjetër të personelit, si dhe prindërit, duhet të ndjekë parimet e sjelljeve miqësore me mjedisin.

Edukimi Mjedisor dhe ai për Zhvillimin e Qëndrueshëm është një proces që zgjat gjithë jetën: fillon nga fëmijëria e hershme, në edukimin e brezave të rritur dhe shkon më tej se edukimi formal. Vlerat, të tilla si mënyra e jetesës dhe qëndrimet fitohen që në fëmijëri, prandaj roli i edukimit është i një rëndësie të veçantë sidomos për fëmijët. Ai duhet të përshkojë programet mësimore në të gjitha nivelet, duke përfshirë edukimin profesional, trajnimin për mësuesit dhe edukimin e vazhdueshëm për profesionistët.

Duke vlerësuar përvojën e gjatë që Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) ka në këtë fushë, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, përmes Komisionit të Akreditimit të Programeve të Trajnimit, akreditoi REC Shqipëri për modulet e trajnimit të ofruara në fushën e edukimit mjedisor dhe të zhvillimit të qëndrueshëm.

Dy modulet e akredituara janë:

1.            “Edukimi mjedisor përmes Paketës së Gjelbër”, e futur si kurrikul e plotë për edukimin mjedisor në të gjitha shkollat 9-vjeçare të Shqipërisë, prej vitit 2007 [http://education.rec.org/].

2.            “Edukimi për Zhvillimin e Qëndrueshëm”, përmes Paketës edukuese për të Rinjtë (Teen Pack), që synon të fuqizojë edukimin, të ngrejë kapacitetet dhe të rrisë ndërgjegjësimin mbi zhvillimin e qëndrueshëm, duke u futur si kurrikul në shkollat e mesme dhe ato profesionale [http://seedling.rec.org/].

Në vazhdim, REC Shqipëri parashikon që gjatë vitit 2018 të zhvillojë një sërë trajnimesh në fushën e edukimit mjedisor dhe të zhvillimit të qëndrueshëm, me mësuesit e arsimit parauniversitar, kjo në të gjitha qytetet e vendit. Gjithashtu, në vitin e ri akademik 2018-2019, REC Shqipëri do të prezantojë për sistemin arsimor shqiptar dy paketa të reja edukative: “Paketa e Gjelbër Junior” për ciklin fillor dhe “Paketa e të Rinjve” për nxënësit e shkollave të mesme.

Datat e trajnimeve dhe vendi përkatës do të bëhen publike nëpërmjet faqeve të mëposhtme të internetit:

https://trajnime.arsimi.gov.al;

http://albania.rec.org

http://www.mjedisisot.info

Të interesuarit mund të aplikojnë për t’u bërë pjesë e këtyre trajnimeve!

: 1,162 views