A mund të ndryshojmë sjelljen tonë për të shpëtuar mjedisin?

Dhjetor 18, 2017 | Nga Embassy of Sweden Tirana

Ndryshimi i klimës tashmë po prek botën, përfshirë Shqipërinë. Reshjet e mëdha në Shqipëri gjatë fundjavës së kaluar janë vetëm një shembull i ngjarjeve ekstreme të motit që po bëhen më të përsëritura në nivel global. Këto reshje intensive mund të rriten gjatë këtij sezoni për vitet e ardhshme, ndërsa pjesa tjetër e vitit do të mbetet e thatë, kjo sipas Ada Metaliu, doktorant në Universitetin Bujqësor në Tiranë.

Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri organizoi një aktivitet për të nxjerrë në pah ndryshimet klimatike dhe efektet e saj, përmes transmetimit live të dokumentarit “24 orë Realitet” të Al Gor. Ky aktivitet synonte të vinte theksin dhe të diskutohej më shumë mbi faktin se si mund të lëvizim nga mohimi dhe debati drejt veprimit. Të rinj nga shkollat e mesme të Tiranës, studentë nga universitetet dhe përfaqësues nga organizatat mjedisore u bënë pjesë e prezantimit se si ndryshimet klimatike mund të ndikojnë Shqipërinë.

Drejtori i REC Shqipëri, Mihallaq Qirjo, përdori një metaforë për bretkocat për të shpjeguar ndryshimet e vazhdueshme klimatike. "Nëse lëshoni një bretkocë në ujë të valuar, ajo do të hidhet larg, por nëse lëshoni një bretkocë në ujë dhe pastaj ngrohni temperaturën, ajo do të qëndrojë në ujë derisa të vlojë deri në vdekje", tha zoti Qirjo, duke treguar se ndryshimi i ngadalshëm i imponuar nga ndryshimet klimatike mund të jetë e vështirë të vërehet në jetën tonë të përditshme. Ai theksoi më tej nevojën për të ndërmarrë veprime për të trajtuar ndryshimet klimatike, në mënyrë që të shmanget përballja me të njëjtin fat si bretkoca në ujë.

Ina Kasimati, mësuese në shkollën e mesme “A. Z. Çajupi”, theksoi rëndësinë e sjelljes së dëshmive në kurrikul me qëllim rritjen e vetëdijes për sfidat. Ajo mori Suedinë si një shembull ku ndryshimet klimatike diskutohen që në kopësht. Znj. Kasimati ishte pjesë e Programit Ndërkombëtar të Trajnimeve të Sida-s në vitin 2010, një program që synon të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve dhe të institucioneve, si dhe në zhvillimin mjedisor dhe ekonomik.

"Ne duhet ta sjellim këtë situatë në vëmendjen e qeverisë për të ndalur shpyllëzimin dhe mundësuar shpërndarjen e ujit në mënyrë më të barabartë", tha Ada Metaliu, e cila theksoi rëndësinë e këtyre sfidave për Shqipërinë.

Suedia mbështet disa projekte në fushën e mjedisit dhe të klimës për të kontribuar në një përdorim më efikas dhe më të qëndrueshëm të mjedisit.

: 1,105 views